Ruleta ruse e opozitarizmit shqiptar
Pazëlli politik është bërë vërtet “interesant”. Bashkësia e partive që janë në opozitë vazhdon të shtohet. Deputetët e PD-së, që pasi u ndanë nga Berisha, u ndanë edhe nga Basha, u organizuan në një parti të re. Vetë Basha nuk ka njoftuar ndonjë lëvizje zyrtare, por angazhimi i tij politik vazhdon nën siglën “Demokratët Euroatlantikë”.
Socialistët e Edi Ramës, nuk e ndajnë fushatën dhe pushtetin me asnjë parti. PS, i përthithi aleatët e saj të zgjedhjeve të 2013 dhe PSD, edhe pse një logo më vete, është një nëndegë e saj. Në kampin opozitar, janë të paktën 7 parti. PD ka rreth vetes deri tani tre aleatë PL+PAA+PR(edhe pse ende nuk ka caktuar formulën e bashkëpunimit). Ndërkohë që në fushë janë edhe “Mundësia” e Agron Shehajt, “Bashkë” e Arlind Qorit, “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, “Nisma Thurje” e Endri Shabanit dhe Pano Sokos, “Djathtas 2012”, ende pa kryetar, por e supozuar e Enkelejd Alibeajt, dhe Basha me “Demokratët Euroaltantikë”. Pra janë 6 grupime të reja, të cilat janë si kundër Ramës, edhe kundër Berishës, edhe kundër njëri-tjetrit.
Përveç “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje”, që janë duke u afruar, të tjerat përjashtojnë deri tani çdo mundësi bashkëpunimi me PS-në, PD-në dhe njëra-tjetren. Ato ndahen në filozofi dhe interesa. Pra, deri tani fleta e votimit do të ketë të paktën 8 parti. Nuk do të kemi PS, PD dhe një pol të tretë, por një ansambël partishë, të gjithë kundër të gjithëve.
Eshtë e kuptueshme se ndarja e votës opozitare, favorizion PS-në, e cila e përmbledh të gjithë votën pro-qeveritare, duke maksimizuar pushtetin që prodhon ajo. Të gjitha partitë opozitare mund të marrin në tërësi më shumë vota se mazhoranca, por këto vota nuk do të mund të prodhojnë më shumë mandate, për shkak të copëzimit.
Partitë e reja duket se në debutimin e tyre të parë në zgjedhjet e përgjithshme të 2025, më shumë sesa për faktin se nga do të shkojë pushteti, janë të interesuara për prezantimin e logove dhe matjen e peshës së tyre. “Më shumë me intereson numri i votave se numri deputëte e”- tha Agron Shehaj në një debat televiziv. Realiste, këto parti nuk e shikojnë veten në pushtet në 2025, por ndërkohë janë të vendosura për të mos mbështetur rikthimin e Berishës. Kësisoj, ato duket se janë në pritje të rikonfirmimit të PS-së në pushtet dhe largimit përfundimtar të Berishës nga kontrolli mbi opozitën. Me largimin e Berishës do të hapet gara se kush do të jetë opozita. Por, gjithashtu, pas largimit të Berishës, dialektika të thotë se është radha e Ramës, dhe partitë e reja shpresojnë se pas kësaj, do të ndryshojë edhe qasja e vendeve partnere ndaj qeverisë socialiste dhe Ramës personalisht dhe, mandati i tij i 4-ët mund të mos shkojë deri në fund. Dhe atëherë do të jetë koha e tyre…
PD dhe Berisha e dinë këtë qasje dhe kanë intesifikuar akuzat, duke i quajtur partitë e reja krijesa të Ramës. Madje Berisha urdhëori pak ditë më parë që deputetët e PD-së të mos dalin në debate me partitë e “opozitës së opozitës”.
Nëse kjo është një startegji politike, pjesa e parë e planit, pra ajo e konfirmimit të PS-së në pushtet, mund të funksionojë. Por pjesa e dytë, më shumë se një plan i realizueshem duket një ruletë ruse, ku rrisku duket po kaq i mundëshëm sa dhe fitorja.
P.S:
Kjo analizë mbështetet në qëndrimet dhe deklaratat e shumë prej partive të reja, sa I takon bashkëpunimit për pjesëmrrjen në zgjedhjet e 2025.