Dy banesa në këtë lagje janë shembur, ndërsa banorët e pastrehë kërkojnë ndihmë nga institucionet, por deri tani nuk kanë marrë asnjë reagim. Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente dhe mbështetje nga autoritetet
Përmbytjet në Vlorë kanë lënë pas dëshpërim dhe tek bizneset. Farmacisti Fotaq Veneti përshkruan dëmin e madh që shkon rreth 100 mijë euro.
“Niveli i ujit arriti rreth gjysmë metri brenda farmacisë. Humbja ime mund të jetë rreth 100 mijë euro”, thotë ai, ndërsa rrëfen momentet e frikës kur ishte i mbyllur brenda, pa mundur të dalë.
“Kam farmaci. Një dëm shumë i madh, s’mund të them një vlerë fikse por diku tek 100 mijë euro produkte farmaceutike. Qepeni ka qenë i mbyllur për të penguar pjesën e përmbytjes, por duke ditur që ngelëm brenda kemi telefonuar për të dalë jashtë se situata arriti deri në 50 cm ujë brenda. Kemi qëndruar 2 orë brenda. Janë pothuajse 20-50 biznese gjithë kjo rrugë. Kjo është hera e disatë, si një katastrofë”, tha Fotaq Veneti, pronar i një farmacie.
Një tjetër dëshmi që sjell Report Tv, është ajo e Përparim Çelajt, pronarit të një marketi, i cili tregon makthin e përmbytjes.
“U bllokova në dyqan, nuk dilja dot,” thotë ai, duke përshkruar prurjet e mëdha të ujit që e lanë të izoluar në dyqan.
“Gati 5 mln lekë të vjetra dëm, shumë keq situata. Ndodh vit për vit këtu. Hall i madh. U bllokova në dyqan nuk dilja dot. Ishin prurje të mëdha”, tha Përparim Celaj, pronar i një marketi.
Dhembja pasqyrohet edhe në fjalët e pronarëve të bizneseve vogla në rrugën Transballkanike dhe në lagjen “28 nëntori”.
“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milionë lek për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë”, thotë ai, me një ndjenjë të thellë zhgënjimi.
“Kam frigoriferët, kanë dalë jashtë loje, plus materialet e tjera. Dëmi shkon tek 5-6 milionë lekë të vjetra. Ca mundëm e lëvizëm, kaq sa arritëm. Ka ndodhur para 6-7 vitesh e njëjta situatë. S’kanë punuar hidrovorët. Mund të jenë 20-30 biznese në këtë zonë. Ti je i pari që vjen, asnjë s’ka ardhur”.
Institucionet nuk kanë bërë ende një bilanc të dëmeve në Vlorë, por të gjithë banorët e varfër dhe ata qe mbajnë familjet me biznesin e vogël kërkojnë nga qeveria dëmshpërblim për pronat e tyre të shkatërruara