Tirane- Sot pritet të ekzekutohet vendimi për burgosjen e deputetit të PD-së Ervin Salianjit i cili dje me vendim të formës së prerë u dënua me 1 vit burg. Trupa gjykuese e gjykatës së Apelit e përbërë nga Elona Toro, Genti Shala dhe Iliba Bezati lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.
Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Dje se Prokurori i Apelit Arben Qose i cili mori dje vendimin e shkurtuar të Apelit ia ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për ekzekutim. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se sot në mëngjes do të hidhet shorti për të caktuar prokurorin dhe më pas ku i fundit do të firmosë vendimin për ekzekutimin e arrestit.
Por skenari i dytë është mundësia e dorëzimit vullnetar të deputetit të PD-së.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi mbrëmë në një studio televizive se nesër (pra sot, 27 shtator) do të zbatojë vendimin për ndalimin e tij dhe se për këtë arsye do të shkojë vetë në polici.
“Po, besoj se në rrugë e sipër është. Është ndjekur një procedurë, që do të jetë urdhër ekzekutimi i menjëhershëm dhe nesër mesa duket do të zbatohet. Por do të jem vetë që do të shkoj”, tha Ervin Salianji, për tv e Sali Berishës.