Pse heshtin njerëzit, kur malet ushëtijnë?
Në më pak se një muaj, qyteti dhe rrugët u përgjakën, shteti fajin e la jetim, pa autor dhe njerëzit vazhduan me indiferentizmin e tyre. Para dy-javësh, qyteti i Elbasanit u trondit nga një vrasje pa autor dhe pas dy-javësh, nga dy vrasje pa autor. Tre jetë u shuan për një muaj…. Nuk është se viktimat i quaj të pafajshëm, por kush je ti të marrësh jetën e dikujt?! Ku je ti o shtet, që garanton lirinë qytetare, kur nuk je i zoti të kapësh vrasësit e tyre. Malet ushëtijnë në mes të ditës nga arma dhe njerëzit heshtën. A thua nuk panë asgjë?! A thua nuk ndodhi asgjë?! Vazhduan rrugën e tyre sikur donin të thonin “eh kjo gjë mund t’i ndodhë kujdo”. Më duket sikur njerëzit nuk duan t’ia dinë për jetën, mjaftohen vetëm me një fjalë “larje hesapesh” dhe gjithçka mbaron. Më vjen sa për të qeshur aq dhe për të qarë, kur mendoj se sa vlerë paska jeta jonë në këtë shtet horrash dhe ”ufosh“. Po po, fiks ufosh, njerëz pa ndjenja, pa arsye thjesht kafshë e ndyrë politike. Ti, unë, ne të gjithë bashkë, kemi frikë nga COVID-19 dhe e kemi të lehtë t’i lëmë të na vrasin, të na bëjnë të mos duam njëri-tjetrin. Sa keq më vjen për këtë qytetari mjerane! E pra, ju o male mos ushëtini, mos lajmëroni se njeriu vrau , vodhi njeriun sepse njerëzit nuk duan t’ia dinë, madje edhe ju o njerëz hani njëri-tjetrin se për ju vetëm malet do të qajnë. Edhe ti hajdut me kollare që troket çdo ditë në dyert tona, kënaqu deri sa njerëzit të zënë mend që të dinë si të t’i sjellin mendtë dhe ty. Nuk e kam aq inatin me ty që bën kërdin sesa me njerëzit indiferent. Unë them, vazhdoni si jeni, rrini indiferent pa zë sepse jetën tuaj e keni shumëzuar me zero. Dhe e dini kur të zgjoheni?! Kur krisma e krimit të ketë ardhur në shtëpinë tuaj, kur ju të bëni zhurmë, vetëm atëherë malet do të heshtin dhe do ju shohin siç ju i keni parë dikur. Atëherë mos bëni zhurmë, por vajtoni në heshtje për atë që ju nuk u bëtë kurrë njerëz.