Tirana eliminohet në raundin e parë të Ligës së Konferencës
Ekipi i Tiranës nuk ia doli dot në stadiumin Elbasan Arena ndaj gjeorgjianëve të Torpedo Kutaisit, duke u mposhtur me rezultatin 0-1 në sfidën e kthimit, të vlefshëm për raundin e parë. Bardheblutë e drejtuar nga tekniku Bledi Shkëmbi, pavarësisht lojës me nivel , nuk mundën të kualifikoheshin për në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Goli i Johnsen në minutën e 3-të, ishte ai që iu dhuroi kualifikimin miqve, teksa dueli i parë përfundoi në barazim 1-1. Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi tha pas ndeshjes se e dinim që do të ishte e vështirë, ndonjëherë ndeshjet brenda janë më të vështira. Jam i kënaqur me skuadrën, pavarësisht se rezultati është ky që është.
Goli i shpejtë na prishi planet, e vuajtëm psikologjikisht në minutat e para. E folëm që duhet të ishim të kujdesshëm me sulmuesin e tyre kryesor. Cilësia e kundërshtarit ka të bëjë. Reaguam mirë, me pak fat ose qetësi mund të kishim shënuar. Në pjesën e dytë ndryshuam sistemin e lojës, shtuam një sulmues. Me hyrjen e Ndrecës u bëmë më agresivë, patëm disa momente të mira. Unë jam i bindur që mund të bëjmë edhe më shumë, nuk janë këto limitet. Lojtarët s’janë në 100 %. Lojtarët e ardhur kanë mangësi fizike. Në të ardhme do të jemi më të kompletuar dhe më të plotë. Në përgjithësi jam i kënaqur me lojtarët e ardhur, duhet t’iu japim kohën. Deri në këto momente jam i kënaqur, edhe pse ne jemi të paduruar dhe duam që sulmuesit sa të vijnë të shënojnë.
Skuadrat duhet të jenë gati në periudhën Europiane. Ky është momenti kulminant, por klubi kishte vendosur për ndryshime. Klubi e bëri maksimumin .