Njerëz të punës që frymëzojnë!
Kisha dëgjuar për kantinën “Shehi” në Farkë, Tiranë, pak nga disa publikime dhe më shumë nga miq që e kishin frekunetuar dhe ndanim opinionet më të mira. Shkova për të blerë disa shishe verë, por pronari Enver Shehi, nuk më la pa më bërë një “guidë”. Me tregonte çdo lloj rrushi. Unë i njoh modestisht hardhitë, por bëja “ëhë” dhe tundja kokën kur ai më tregonte; ky rrushi është ashtu e ky kështu, se ky e ka gjethen kështu, e ky ashtu. Se ky ka këtë aromë, e ky atë aromë… karakteristika këto të njerëzve që jo vetëm e njohin, por e dashurojnë punën që bëjnë.
Të provoje verën nga “tankeri” ku është fermentuar plotësisht dhe pret të ambalazhohet në shishe, ishte një gjë e bukur. Kisha vizituar edhe kantina të tjera, por më së shumti më kishte ngacmuar kurioziteti i procesit.
Është një kohë kur kodrat e Farkës po shndërrohen në rezidenca banimi dhe kur babëzia e betonit po sulmon çdo pëllëmbë të gjelbërt. Por Enveri thotë se i ka kthyer mbrapsht të gjitha ofertat për ta shitur fermën, të cilës i ka kushtuar jetën, bashkë me familjen.
Skemat mbështetëse të bujqësisë nuk kanë mbërritur deri këtu, por kjo nuk i ka penguar këta njerëz punëtorë të ndërtojnë një biznes të mrekullueshëm.
Enveri tashmë është bërë një mjeshtër i verës. Ai thotë me bindje të plotë së produktet vendase, kur bëhen me ndershmëri, pa hile kur i thonë, dhe mbi të gjitha, me dashuri(sepse spas tij vera kërkon mjeshtëri dhe dashuri), janë shumë më të mira se verërat e huaja që vijnë në Shqipëri.
Çdo punë ka vështirësinë e vet. Por bujqësia është më e vështira mes të vështirave, pasi, veç të tjerave, e gjithë puna e një viti mund të të shkojë dëm për 5 minuta nga breshëri. Ndaj dhe një qeveri e mençur do të duhet ta ketë këtë sektor prioritet të prioriteteve.
Konsumatorët shqiptarë dhe turistët duhet të kenë në tryeza sa më shumë produkte “Made in Albania”.