Nuk është Konferenca e Berlinit, por Europiani i Gjermanisë!
Edhe kritikat, sulmet në fakt, ndaj Elseid Hysjat i kemi me këngë: “Prej lufte veç ai largohet, që është lindur tradhëtar”… Hysaj uli kokën dhe është tradhëtar.
Unë nuk bëj pjesë tek tifozët e marrosur. Por do të isha më shumë se i lumtur që të fitonim ndaj Italisë. Por nuk quaj tradhëtar e nuk akuzoj ne asnjë lloj mënyre askënd nga ata që ishin në fushë e në stol, meqë nuk fituan. Ishte një ndeshje futbolli, me një kundërshtar të fortë e hijerëndë në kësi “luftrash”. Skuadra jonë bëri sa mundi e si mundi. Mund ta dalë edhe pa asnjë pikë(dhe gjasat me këtë grup janë që po), por sërish nuk janë as tradhëtarë as “jo shqiptarë”.
Problemi është se shumëkush që kishte shkuar në Dortmund, besonte se ne do të fitonim dhe kishte filluar të festonte ende pa nisur loja. Dhe kur kjo nuk ndodhi, u duk se “ këtu kishte tradhëti burra”. Mbi të gjitha, kësi ngjarjesh, që janë vetëm sportive e asgjë më shumë, ne mendojmë se janë konferenca ku ndahen edhe tokat e Ballkanit, dhe ne shkojnë atje të marrim Çamërinë, edhe Preshëven, të bashkojmë Shqipërinë me Kosovën dhe meqë e kemi në dorë, e marrim edhe Tetovën. Dhe padyshim që kënga partiotike më e kënduar është “Serbi, Serbi, t’q… motrën”. Lexova se UEFA kishte nisur edhe një procedim disiplinor ndaj Shqipërisë për parula politike të ndaluara.
Dhe kësaj dalldie i shtohet edhe propaganda politike, e cila investohet në kësi ahengllëqesh patriotike, për ti bërë shqiptarët “më krenarë që janë shqiptarë”, duke ngjeyer gishtat në çdo hare sportive.