“SHQIPËRI, ZEMRA JONË” Përmbledhja me poezi të zgjedhura nga 78 autorë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora në vëllimin poetik "Shqipëri, zemra jonë" përgatitur nga Trandafile Molla (Baja) me redaktor Hamdi Hysuka, botuar nga "Lena grafik" e dalë së fundmi nga shtypi, botim i BShASh "Zëri i Mërgimtarit" Novara, Itali; është nga ato libra poetikë që të tërheq vëmendjen sapo e merr në dorë. Nuk është thjeshtë përzgjedhja e autorëve, as cilësia e poezive, pasi ata janë përzgjedhur me kujdes nga ideatorja Trandafile Molla (Baja), redaktori Hamdi Hysuka dhe analizuar mjeshtërisht nga kritiku letrar dhe krijuesi Ndue Dedaj. "Gjeografia e poetikës shqiptare" e ka titulluar analizën e tij kritiku letrar Dedaj duke theksuar se: "Gjithmonë është bukur kur poetët mblidhen për të shqiptuar para njëri tjetrit poezitë e tyre si në një festival muze aq më shumë kur kjo ndodh në një vend të huaj, në këtë rast Italia". Ajo që dua të veçoj është kompozimi i këtij libri. Së pari, ajo që bie në sy është përfshirja e shumë poetëve cilësorë dhe veçanërisht temat që trajtohen, ku siç e thotë edhe kritiku Dedaj "mbizotërojnë poezitë kushtuar atdheut, Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë, Preshevës....". Kjo për faktin se shumica e autorëve jetojnë në emigracion dhe malli për vendlindjen nuk i lë rehat. Grafika e kopertinës së librit, e punuar me kujdes nga Daniel Zhusti, jo vetëm që është kopertinë e trashë, por në mënyrë harmonike janë kompozuar titulli i librit me shqiponjën e flamurit tonë kombëtar. Sapo hap kapakun e librit do të lexosh gjithçka për librin si botuesi, titulli i librit, redaktori, korrektori, grafika etj.
Më tej çdo lexues që e merr në dorë librin do të lexojë me një frymë parathënien e kritikut letrar Ndue Dedaj, i cili përveç analizës së hollësishme, përzgjedh dhe vargje apo strofa të veçanta nga autorë të ndryshëm duke e bërë më tërheqës e nxitur kështu kuriozitetin dhe ndjeshmërinë e leximit.
Kujdesi i hartimit të këtij vëllimi poetik nga ideatorja Molla dhe redaktori Hysuka vërehet qartë. Ndryshe nga shumë simotra të tij në këtë përzgjedhje poetike në faqosje e në rënditje nuk është përdorur kriteri i renditjes alfabetike, as niveli i njohjes, por viti i lindjes së autorëve, tejet e veçantë kjo. Po ashtu çdo autor ka poezi të vendosura secilën në faqen e vet, ku çdo poezi fillon në faqe të veçantë dhe çdo autor i paraprin me fotografi ciklit të tij të poezive, duke u renditur qartë në përmajtjen e librit. Të gjitha sa më sipër e bëjnë këtë libër “elegant” dhe të këndshëm për ta lexuar dhe për ta patur në biblotekën personale. Urime të gjithë autorëve dhe lexim të këndshëm të dashuruarve me poezinë!