Janë të pakta ditët që na ndajnë nga shpallja e lëvizjeve të reja që do të ndodhin në kabinetin aktual qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Burime nga PS dhe nga administrata e lartë qeverisëse, bëjnë të ditur se në zyra dhe takime të ngushta të krerëve të shumicës socialiste, po diskutohet për një riorganizim elektoral.
Bindja e krerëve të PS-së për një mandat të tretë , i shtyn për t’u rikthyer në një kabinet qeverisës më politik. Diçka të tillë, e ka pranuar edhe kryeministri Rama, i cili pasi ka testuar pakënaqësitë e shumta mes grupeve socialiste në bazë dhe sidomos pakënaqësinë e socialistëve të vjetër, po përpilon projektin e ri të ndryshimeve për fitoren e tretë të PS-së në zgjedhjet e pritshme.
Në muajin gusht , sipas këtyre burimeve për newsalbania.al pritet të ndryshohen disa ministra dhe të ketë një ristrukturim të strukturave elektorale në Partinë Socialiste.
Zëra të ndryshëm dhe burimet bëjnë të ditur se minister Etilda Gjonaj, Besa Shahini, Belinda Balluku, Anila Denaj do të lenë postet e tyre. Ndërkohë që në këtë valë lëvizjesh përfshihen edhe ministrat: Sandër Lleshaj, Gent Cakaj, Arben Ahmetaj, Blendi Klosi dhe Eduard Shalsi.
Ndërkohë të projektuar për lëvizje dhe ardhje në kabinetin e rikompozuar qeveritar të kryeministrit Rama janë Elisa Spiropali e cila pritet të shkojë ministre e Arsimit, Alket Hyseni bëhet ministër i Brendshëm, Damian Gjiknuri rikthehet ministër i Shtetit, Blerina Gjylameti ministre e Infrastukturës dhe Energjisë, Mirela Kumbaro ministre e Fatkeqësive, Adnor Shameti ministër i Drejtësisë dhe Endri Fuga ministër për Europën dhe i Punëve të jashtme.
Këto janë lëvizjet më të mëdha të ndodhura në kabinetin Rama 2 dhe që pretendojnë të krijojnë një ekuilibër të ri të brendshëm në Partinë Socialiste, e cila po vlerësohet si tejet e konsumuar dhe e lodhur nga vitet e qeverisjes në mandatin e dytë të saj. Këto lëvizje pasojnë ndryshimet më të shumta të ndodhura në nivelet e zëvendësministrave dhe sekretarëve të Përgjithshëm gjatë javës që sapo shkoi.