Tre sfidat madhore në Kuvendin e Republikës; sidomos për opozitën!
Tre sfidat e mëdha e reale në fillim të kësaj legjislature të Kuvendit, janë rishikimi i ndarjes territoriale e tok me të dhe struktura e pushtetit vendor, rishqyrtimi i legjislacionit elektoral pas përvojës me zgjedhjet e 25 prillit dhe gjetja e një zgjidhjeje për organet e vetingut të cilëve u mbaron mandati së afërmi. Kjo e treta çuditërisht u konsiderua nga PD si jo prioritare edhe pse, ndryshe nga dy të tjerat, ajo përcaktohet si prioritet nga diçka jashtë fuqisë njerëzore siç është koha që rrjedh pandalshëm. Në të treja rastet ndryshimet ligjore kërkojnë një mazhorancë të cilësuar duke perfshirë në disa raste edhe atë kushtetuese. Pra, në këtë legjislaturë, këto ndryshime mund të ndodhin vetëm nëse mazhoranca dhe opozita gjejnë konsensus.
Të treja këto çështje nuk janë thjesht të rëndësishme për demokracinë e shtetin abstrakt por kanë edhe impakt direkt në jetën e përditshme të njerëzve. Kjo e bën edhe më të domosdoshme që opozita të formulojë një qëndrim ndaj tyre.
Në Partinë Demokratike departamentet e grupet e punës kanë përgatitur në vazhdimësi analiza e rekomandime për këto tema. Por tashti, versionet e përditësuara lipset të shqyrtohen, debatohen e miratohen në organet e partisë si kryesia, këshilli e grupi. Mundësisht kjo të ndodhë paralelisht me një konsultim më të gjerë me anëtarësinë (këtu veçanërisht territorialja), grupet e interesit e shoqërinë civile (shprehja e shumëpërmendur “kështu thonë ekspertët” është një lloj delegjitimimi i politikës në demokraci). Pozicionimi i qartë në përmbajtje është themelor për një forcë politike që ka një profil programatik të caktuar. Publiku i gjerë duke njohur këto pozicione formon përshtypje e bindje të cilat pastaj ndikojnë votën. Pozicionimi përmes një deklarate a rezolute nuk është i shkruar në gur; ai mund të evoluojë. Kur nevojitet negociatë, si në tre çështjet tona, mund të arrihen kompromise; këto të fundit në Europë shihen si tregues i një politike të pjekur e të civilizuar. Por kompromiset lipset të jenë parimore, të arsyeshme e proporcionale.
Një skicë për secilën nga tre sfidat:
1- Ndarja territoriale e pushtetit vendor ose bumerangu i bojkotit
Në pranverën e 2014, kur mazhoranca PS-LSI ndërmori nismën për “reformën territoriale”, PD në opozitë vendosi të përfshihej në Komisionin Parlamentar të Posaçëm, që asokohe kryesohej nga i ndjeri Bashkim Fino. Pastaj vuri kushte: disa të arsyeshme; disa të drejta por pa lidhje me temën e ndonjë të ekzagjeruar. Si përfundim PD nuk mori pjesë edhe pse qeveria e arrinte shumicën e cilësuar prej 3/5 (sepse disa deputetë nga listat e PD u anëtarësuan në LSI; ata të PDIU, të dalë po nga listat e PD, hynë në Komision) PD bëri aktivitete paralele mbi konceptin e reformës. Çka nuk e pengoi qeverinë të miratonte në verë të po atij viti ndarjen e re territoriale; dhe opozita u ankua për salamandra elektorale e favorizime krahinore. Më pas ajo u fut në zgjedhjet vendore 2015 e doli me rezultat të dobët.
Me pjesëmarrjen në Komision do të kish marrë përgjegjësi por edhe do të kishte ndikuar jo pak në rindarjen e bashkive. Gjashtë vjet më vonë reforma rezulton e pasuksesshme në shumë aspekte: p.sh.: zonat rurale mbetën pa akses në shërbimet bashkiake të cilat emigruan drejt qytetit; administratori që emërohet, ndryshe nga kryekomunari që votohej, nuk kishte më sy e veshë për hallet e banorëve se i mjaftonte lidhja me kryebashkiakun që e emëronte; numri i personelit te pushtetit vendor nuk u ul siç u premtua por u rrit për nevoja partiake duke shënuar kulme gjatë fushatave zgjedhore (siç thotë dhe OSBE/ODIHRi për 25 prillin).
Këto e të tjera tema si autonomia financiare mund të jenë objekt i rishqyrtimit të pushtetit vendor. Por po qe se fokusi mbetet vetëm tek harta, ai do ishte i mangët. Dhe PD po merr me vonesë, dhe me gjasë duke paguar haraç, atë që do të merrte falas në 2014.
2-Reforma zgjedhore jo si pëlhura e Penelopës.
Paketa e amendimeve e arritur me konsensus PD-PS e 5 qershorit 2020 ishte shumë pozitive. Problemi i vjetër i moszbatimit të ligjit mbeti kryesori. Legjislacioni i ri në mënyrë të plotë e të detajuar ndalonte punësimet, investimet e favore të tjera elektorale. Por në fakt ndodhën! Qeveria, bashkitë e kandidatët nuk pyetën për ligjin. KQZ bëri sikur nuk pa gjë; në ndonjë rast të rrallë vuri gjoba qesharake të cilat u rrëzuan në apel.
Për skandalin tashmë ndërkombëtar të patronazhistëve SPAKu e hoqi nga vetja dhe ja përcolli prokurorisë Tiranë (po kështu bëri dhe me dosjen 184 në Dibër para dy vitesh) edhe pse amendimet konsensuale e detyrojnë të hetojë krimet zgjedhore. Ndërsa Komisioneri i të Dhënave Personale mbasi hetoi skandalin, konkludoi se PS nuk kishte faj sepse kishte shkelur ligjin nga padituria (siç!)
Në këto rrethana të shtetkapjes debatet mbi reforma e nismat legjislative janë pa kuptim. I vetmi mjet është rritja e presionit publik e politik, në institucione e në sheshe, brenda e jashtë vendit, për zbatimin ndëshkues të ligjit. Me shpresë se ndëshkimi sot do të frenojë shkelësit nesër.
Konsensusi i 5 qeshorit u shkërmoq më pas nga amendimi i njëanshëm i kushtetutës i kodit zgjedhor nga Rama. Djegia e mandateve ja mundësoi këtë gjë dhe pasoja direkte ishin afro tetë deputetë më shumë për PS tok me të tretin mandat qeverisës. Por nuk është rasti të vazhdohet duke qarë mbi qumështin e derdhur: pa anulluar pabesinë legjislativo-zgjedhore është pa kuptim të flasësh për bashkëpunim legjislativ zgjedhor (kur më gënjen për herën xy faji është i kujt?). Mundësia e koalicioneve plurale duhet restauruar; “listat e hapura” duhen abroguar sado që të protestojnë idealistët dritëshkurtër dhe idiotët e dëmshëm.
Votimi elektronik u testua me sukses në lagjen 10 të Tiranës. Rruga më e arsyeshme është shtrirja e tij sa më gjerë të jete e mundshme. Përmes votimit elektronik mund të realizohet votimi i shtetasve me vendbanim në Europë e gjetiu.
3-Dilema e vetingut
Vitin tjetër mbaron mandati i organeve të vetingut të shkallës së parë. Kushtetuta parashikon për përbërjen e kryesorit të këtyre organeve (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose KPK) anëtarë të mbështetur gjysma nga mazhorance e gjysma nga opozita në Kuvend. Kështu parashikon formula “Hahn-Nuland” për të cilën PD u përpoq shumë dhe me sukses. Dhe pastaj, me një neglizhencë të hatashme, nuk dërgoi asnjë kandidat për të mbushur gjysmën e vet, por u detyrua të votonte të panjohurit shumica njerëz të PS-së. Pasoja, në jo pak raste, kanë qenë vendimet me dy kute që kanë “djegur” kë nuk donte PS edhe pse ishin në rregull me verifikimin ose kanë “shpëtuar” të tjerë të pëlqyer megjithëse rezultuan me probleme. Kjo është debatuar gjerësisht në Tiranë nga politika e media dhe është vënë në dukje
Ndërkohë vetëm gjysma e gjyqtarëve e prokurorëve e kanë kaluar vetingun; kushtetuta parashikon se me mbarimin e mandatit të KPK-së funksionin për pjesën e mbetur e merr përkatësisht Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe ai i Prokurorisë.
PS, prej disa muajsh, kërkon që të veprohet me zgjatjen e mandatit të KPK. Javën e shkuar PS depozitoi në Kuvend amendamentin kushtetues që e lë KPK-në në punë deri në fund te v. 2024. Pa pritur për këtë çeshtje të bëhej një konsultë zyrtare me opozitën ose qoftë edhe një diskutim në parim në Komisionin e Ligjeve. Vetëm për njëanshmërinë e arrogancën e dëftuar nga PS-ja refleksi politik i opozitës e më gjerë do të ishte refuzimi. Me pasojë dështimin e nismës së PS, e cila pa opozitën nuk arrin dot numrat e mazhorancës kushtetuese.
Por refleksi nuk lipset të jetë këshilltari i vetëm i veprimit politik; as kryesori. Ratio ose arsyeja do të lipsej të preferohej përherë. Fatkeqësisht për diçka madhore si ndryshimi i Kushtetutës nuk ka patur një debat profesional e publik për të analizuar me objektivitet pse nuk u realizua vetingu sipas parashikimeve kohore të v. 2016?; cilat ishin arritjet e dështimet e tij?; si dhe për të formuluar rekomandime për më tej. Edhe fjalimet e tubimit me rastin e pesëvjetorit të reformës në drejtësi ku morën pjesë qeveritarë e ndërkombëtarë ishin thjesht festive, vetë-përgëzuese dhe të shkëputura nga realiteti. Po kështu edhe partitë politike që janë përgjegjëse e vendimarrëse kryesorë. Po kështu edhe OJF jo të pakta të cilat ndjekin ecurinë e kësaj reforme dhe botojnë studime për të. Po kështu edhe media.
Oposionet e tjera të veprimit në fakt nuk mungojnë:
a-Propozimi i qeverisë duhet refuzuar a priori sepse synon vazhdimin e konsolidimi e kapjes së proçesit; me rezultatet e njohura!
b-Mund të rihapet proçedura e emërimit të anëtarëve të KPK dhe, kësaj radhe, të realizohet ballanca e synuar nga kushtetuta;
c-Mund të ndiqet kushtetuta; dmth. vetingu të transferohet tek Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe tek ai i Prokurorisë por këta duhen reformuar, përshtatur e pajisur me resurset e KPK.
d-Mund të ketë edhe opsione të tjera të cilat prezantohen gjatë një debati profesional e publik.
Nga sa kemi parë deri tashti opozita është pothuajse i vetmi aktor me interes për përmirësimi e përmbushjes së procesit. Por Partia Demokratike nuk mund të vonohet akoma. Një debat që çon në pozicione politike e propozime legjislative serioze lipset të nisë sa më parë.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
19 tetor 2021