Byroja e Hetimit “zbarkon” në ministrinë e Shëndetësisë, sekuestron dosjen e PPP së sterilizimit; Edi Rama “ngrin” Ilir Beqjan
I regjistruar si denoncim prej kohësh nga ana e SPAK, si pasojë e kallëzimit të nismës “Thurje” dy vjet më parë, koncensioni i sterilizimit të pajisjeve mjeksore tashmë është në kulmin e hetimit.
Siç mësohet, Byroja Kombëtare e Hetimit ka marrë në dorë të gjitha dokumentet zyrtare të kësaj PPP-je, pas fazës së parë, ku u morën në pyetje si denoncuesit, por edhe zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë që ende nuk janë thirrur për këtë çështje, përfaqësuesit e kompanisë që ka marrë nga qeveria e Edi Ramës, një nga kontratat më të majme të të gjitha kohërave.
Me pak fjalë, kompania që ka marrë përsipër sterilizimin e pajisjeve mjeksore do të marrë për një periudhë 10 vjeçare një shumë prej 100 milionë eurosh, ku gjysma është paguar deri në vitin 2020.
Denoncimi është bërë në dhjetorin e vitit 2019 nga nisma “Thurje”, një nga pjesëtarët e së cilës, kirurgu Artan Koni, për një kohë të gjatë zhvilloi një debat publik për këtë çështje. Ai theksoi se përpara PPP-së së dhënë nga Ilir Beqaj, kur ishte ministër i Shëndetësisë, një set kirurgjikal kushtonte për sterilizim 2.4 euro, ndërkohë pas kontratës ai kushton 120 euro, pra mbi 5 herë më shumë.
Pas nisjes së hetimeve të SPAK, pikërisht një ditë më vonë, qeveria Rama, në janar të vitit 2020 vendosi që të ulë çmimin e pagesës për kompaninë koncensionare me 25%, për sterilizimin e seteve që kryhen për operacionet, të cilat e kalonin tavanin e 90 mijë operacioneve në vit. Ky rishikim kontrate u komentua se përbënte një “korigjim shënjestre” pas nisjes së hetimeve të kësaj PPP shumë të kontestuar.
Ish-ministri Ilir Beqaj, i cili nuk u zgjodh dot deputet në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 25 prillit, pritej të merrte një post të lartë në kryeministri ditët e fundit.
Vonesa e emërimit ka rritur dyshimet se kjo ka ndodhur për shkak të hetimit. Dosja është hapur prej kohësh, e si rezultat Beqaj e të gjithë të përfshirët e tjerë në PPP-në e sterilizimit janë të hetuar. Ndërkohë statusi më i avancuar në një dosje penale, është ai i të pandehurit, sipas Kodit të Procedurës Penale.
Në vitin 2015, koncensioni i sterilizimit të instrumenteve mjeksore, ju dha një kompanie të vogël që drejtohet nga një shqiptar, me qendër në Perugia të Italisë, kompani që ishte marrë me ndërmjetësim dhe ndërtim.
Personi që drejton kompaninë që ka marrë PPP-në e sterilizimit quhet Ilir Rrapaj, i cili për më shumë se 10 vjet ka drejtuar një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë rezidenciale në qytetin e Perugias të rajonit Umbria në Itali.
Kompania u themelua në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh. Pas fitores së PS-së në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës, u kthye në Shqipëri dhe pas kthimit u pa shpesh në kontakte me ministrin e atëhershëm të shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i kontratës koncesionare për Sterilizimin prej 100 milionë eurosh.
Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila kishte një kapital prej vetëm 1.000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan këtë koncension.
Mbetet e paqartë se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që kompania e tij ka pasur vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe zero eksperiencë në fushën e mjekësisë.
Investimi i Rrapajt nëpërmjet “Investital Llc” për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë euros ka qenë në fillim vetëm 8 mijë euro.
PPP-ja e sterilizimit është kontestuar që në fillim nga media dhe opozita, e për këtë janë kryer disa investigime mediatike.
Ilir Rrapaj, në fillim ka mohuar se ka lidhje me Ilir Beqajn, por kur janë publikuar foto të tij me të, i është “rifreskuar kujtesa” e ka pranuar njohjen direkte.
Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.
Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.
Ky shërbim ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.
I lindur në vitin 1972, Rrapaj ka emigruar në Itali në vitet 90’ dhe është vendosur në rajonin e Umbrias. Më 17 prill 2000, ai regjistron në Peruxhia kompaninë “Ali Pashë Tepelena SAS”, një kompani në kategorinë e “artizanatit” me vetëm një të punësuar dhe një kapital prej 3 milionë liretash, të cilat më vonë konvertohen në 1549, 38 euro.
Ilir Rrapaj zotëron 50 % të aksioneve të kompanisë dhe 50 për qind kontrollohen nga i afërmi i tij Mitat Rrapaj, i cili në vitin 2007 ia dhuron ato shtetases Italiane Elisa Bulagna.
Lidhja e Rrapajt me fushën e shëndetësisë është e paqartë, edhe pse ai pretendon të këtë mbaruar studimet për mjekësi.
Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 2013, Rrapaj merr pjesë në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë.
Në këtë konferencë që mblidhte profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në vende të ndryshme të botës, Rrapaj përveç ministrit Beqaj ka takuar dhe kryeministrin Edi Rama. Mbas konferencës në nëntor të vitit 2013 dhe shpalljes së koncesionit për sterilizimin e seteve dhe sallave kirurgjikale në shkurt të këtij viti, Rrapaj dhe përfaqësues të kompanive të tjera italiane, pjesë të konsorciumit fitues kanë pasur një numër takimesh në Tiranë dhe Itali me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.
Në dhjetor të vitit 2013, ministri Beqaj dhe zëvendës ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj vizitojnë rajonin e Umbrias në Itali me ftesë Qarkut të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias.
Gjatë vizitës, Beqaj nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Peruxhias, po ajo që bie në sy është prezenca e Ilir Rrapajt dhe e ortakëve të tij italianë gjatë takimeve.
Ilir Beqaj e viziton disa herë rajonin e Umbrias në vitin 2014. Në dhjetor të këtij viti ai nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Qarkun e Umbrias, ku Rrapaj është gjithashtu prezent në takimet zyrtare, në krah të ministrit Ilir Beqaj.
Ilir Rrapaj është shprehur për mediat se fitues të koncesionit për setet kirurgjikale ishin shpallur “kompanitë më të mira”.
I pyetur mbi akuzat se në këtë koncesion një mik i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Beqaj ishte shpallur fitues, Rrapaj tha se: “nuk më interesojnë këto gjëra dhe nuk merrem me politikë,” duke shtuar se ky koncesion ka për të qenë “një sukses.”