Së bashku me tetorin, po afron edhe Konferenca e Biodiversitetit të OKB-së, ku tematika e mbrojtjes së mjedisit dhe larmishmërisë së gjallesave rikthehet në fokusin e vendeve pjesëmarrëse. Ndërkohë që njëzëri vendet e ndryshme kanë njohur rëndësinë e ndërmarrjes së masave të përbashkëta për të ndaluar përshkallëzimin e frikshëm të dëmit mjedisor, shpeshherë ato kanë qenë të paafta për të arritur në marrëveshje vërtet risi-sjellëse ose të përmasave të mjaftueshme. Kjo konferencë mishëron një mundësi të artë për të sjellë një ndryshim në këtë aspekt.
Biodiversiti ka kaluar një periudhë të gjatë përkeqësimi pavarësisht përpjekjeve të deritanishme, dhe është lehtësisht e kuptueshme që nuk mund të vazhdohet më në të njëjtën rrugë. Konferenca e Biodiversitetit do të bashkojë qeveritë e ndryshme nëpër botë për të arritur marrëveshje në vendosjen e objektivave për dekadën e ardhshme. Pritshmëritë janë që këto objektiva do të jenë ambicioze dhe do të synojnë një transformim të qenësishëm për të ardhmen e afërt. Propozime të rëndësishme si reduktimi i përdorimit të pesticideve me dy të tretat, eliminimi i ndotjes plastike dhe mbrojtja e 30% të tokës dhe ujit në planet priten të jenë pjesë e tavolinës së diskutimit.
Fakti që konferenca do të zhvillohet në qytetin Kunming të Kinës Jugperëndimore, ka sjellë edhe një kureshtje të shtuar për rezultatet e saj. Për shkak të vështirësive të shkaktuara nga pandemia, kjo mbledhje është shtyrë dy herë. Në datat midis 11 dhe 15 tetorit do të fillojë faza e parë, kryesisht një mbledhje proceduriale, që pritet të konkludohet deri në prill dhe maj të vitit pasardhës me objektiva të negociuara dhe plane konkrete mes vendeve pjesëmarrëse. Shtyrja e përsëritur e konferencës vetëm e përforcon nevojën e rezultateve konkrete nga këto negocime.
Kina, vendi organizator, përfaqëson jo vetëm një nga vendet me numrin më të lartë të specieve dhe resurseve gjenetike, duke qenë një rezervuar i rreth 10% të bimëve dhe 14% të kafshëve në tokë, por edhe është akuzuar shpeshherë nga vendet e tjera për ndotjen mjedisore dhe rrezikun për biodiversitetin të shkaktuar nga rritja e popullsisë, zhvillimi i shpejtë ekonomik dhe rritja e shfrytëzimit të resurseve natyrore.
Megjithatë, Kina ka treguar se është shumë e vetëdijshme për nevojën e masave për mbrojtjen e diversitetit, që ndihmon sigurinë e ushqimit, njerëzit për t’iu përshtatur ndryshimeve klimaterike dhe në sigurimin e resurseve medicinale. Humbja e habitateve dhe degradimi i natyrës për shkak të aktivitetit të njeriut në Kinë është luftuar me projekte të ndryshme konservimi për biodiversitetin dhe ekosistemin. Investime të tilla strategjike nga qeveria kineze kanë sjellë një ndërgjegjshmëri të shtuar në Kinë, për sa i përket konservimit të biodiversitetit.
Larmishmëria e reformave dhe politikave të ndjekura vitet e fundit, kanë sjellë një ndryshim të konsiderueshëm dhe të rëndësishëm. Rezerva të shumta natyrore dhe parqe, janë mbrojtur nga qeveria falë limitimit të aktivitetit njerëzor dhe atij industrial. Këto arritje, është e rëndësishme që të mos shihen si një objektiv i arritur, por si një pikënisje për veprime të tjera dhe bashkëpunime të shtuara me vende të tjera. Pasi është e qartë, që për të arritur rezultate konkrete në zgjidhjet e problemeve globale si diversiteti dhe ndryshimi klimaterik, është e nevojshme të harrohen antagonizmat në fushat e tjera dhe të vozitet në drejtim të njëjtë.
Bashkimi Europian ka qenë përherë gjithashtu me shumë zë për çështjet e diversitetit dhe duket sikur i ka shpeshtuar, për këtë arsye, diskutimet me Kinën.
BE-ja dhe Kina, mbeten dy prej zërave gjeopolitikë më të shqetësuar për krizën e biodiversitetit dhe nevojën për ta përkthyer këtë shqetësim në aksione të mirëfillta për mbrojtjen dhe ripërtëritjen e tij. Ky shqetësim i përbashkët është pasuar nga një bashkëpunim më i madh, edhe në formën e konventave ndërkombëtare.
Megjithatë, ky bashkëpunim mund dhe duhet të jetë në rritje, duke qenë se rreziqet ndaj biodiversitetit kërkojnë një sforco të përbashkët të madhe. Së bashku, BE dhe Kina, mund të japin një shembull lidershipi dhe të arrijnë marrëveshje të domosdoshme në vendosjen e objektivave konkrete, si dhe monitorimin dhe vlerësimin e mekanizmave dhe implementimin e reformave. Ky bashkëpunim mund të sjellë frute në nivel kombëtar dhe multilateral. Mirëpo, problemi më i madh në këtë çështje ka qenë shprehja e vlerës natyrore në terma financiarë si edhe vendosja se kush do t’i mbulojë këto kosto. Por, tani që kostot e shpyllëzimit, ndotjes dhe zhdukjes së specieve të ndryshme kanë bërë më të qartë avantazhet e një mjedisi të pasur dhe të pastër, mund të shpresojmë që ky problem të vihet në rrugën e zgjidhjes. Një dialog i shtuar dhe i shëndetshëm mes vendeve me më shumë peshë, është pikërisht ajo që duhet në këtë moment dhe që është sugjeruar intensivisht prej ekspertizës ndërkombëtare.
Pandemia e Covid-19, ishte një këmbanë zgjimi për marrëdhënien e njerut me natyrën. Shpesh pandemia është shfaqur e ndërlidhur me shkatërrimin e ekosistemeve dhe specieve në tokë. Këto alarme zgjimi duhen adresuar me prioritetin e nevojshëm. Vendet e ndryshme në botë duhet të ulen në tavolina të përbashkëta si ajo e mundësuar nga OKB-ja, dhe më në fund të hedhin hapin e mëtejshëm për përmbushjen e detyrimeve respektivisht prej çdo shteti.