Përgatiti Gresa Rrushi:
Ka shkuar në më shumë se 500 vetë numri i të helmuarve që kërkojnë trajtim nga mjekët për shkak të helmimit nga uji në Krujës. Pacientë të të gjitha moshave, fëmijë dhe të moshuar paraqiten me diarre, të vjella dhe temperaturë pasi konsumuan ujë nga rubineti.
Prokuroria nisi hetimet për këtë çështje, megjithëse nuk ka ende një të akuzuar pasi nuk ka përcaktuar ende shkaqet e ndotjes së ujit të pijshëm. Në njoftimin që shpërndau për mediat thuhet se “është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës”.
Por ndotja e ujit tashmë është faktuar edhe nga Ujësjellësi i Krujës që konfirmoi se nga analizat paraprake ka pasur sasi të amoniakut mbi normën e lejuar në ujë. Në deklaratën e Ujësjellësit u tha se shkak ishin bërë reshjet e shumta në Malësinë e Krujës, por pistat në të cilat po heton prokuroria janë të tjera.
E para është ndërhyrja e kultivuesve të kanabisit në Malësinë e Krujës, të cilët kanë çarë tubat e ujësjellësit për të furnizuar me ujë tokat e mbjella me bimët narkotike.
Pista e dytë është ndotja e ujit nga jashtëqitjet e stallës së bagëtive që është ndërtuar në krah të ujësjellësit të Krujës. Kjo është më pak e mundshme, pasi ujësjellësi ka nisur punën prej muajsh tashmë, ndërsa helmimi i qytetarëve ka ndodhur vetëm ditët e fundit.
Pista e tretë e hetimit është çarja e tubacionit për shkak të investimit të dobët nga kompania që realizoi projektin. Dyshimet janë se pas çarjes së tubave, uji i pijshëm është përzier me fekalet e ujërave të zeza dhe është konsumuar nga banorët e Krujës.
Gjithsesi banorët dyshojnë për një helmim të qëllimshëm. Ende pa dalë lajmi në media, tregoi një prej tyre, në qytet nisën të qarkullojnë mjetet që shisnin ujë të pijshëm.
“Këta flenë dhe zgjohen me idenë se si t’i bëjnë keq këtij populli. Pa shkuar ende lajmi për helmimin në Tiranë këtu filluan të qarkullojnë furgonat e ujit të paketuar. Unë dyshoj se është bërë me qëllim për të shitur ujin e paketuar”, u shpreh qytetari për mediat