Intervistoi: Elida Domi
Ai është personazh i spikatur i jetës publike e politike, me një karrierë të gjatë në qeverisjen qendrore e vendore. I njohur si njeriu i paqes, Baftjar Zeqaj prej vitesh ka mbajtur flamurin e suksesit. Sot, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në zonën e Roskovecit, Zeqaj vazhdon të ketë po atë respekt në komunitet. I diplomuar me nota të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, filloi punë në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Naftës dhe të Gazit. Por dëshira e tij për t’i dhënë më shumë e më shumë vendit të vet, bëri që kontributet e tij të zgjeroheshin edhe në atë të shërbimit publik…
Në fëmijëri deri ku shkonin ëndrrat e tua?

Në fëmijëri ëndrrat i kisha më të mëdha nga ajo çfarë më ofronte realiteti dhe familja ime e varfër. Kisha shumë ëndrra, herë të qarta, herë të paqarta, por padyshim që ëndërroja si gjithë të tjerët dhe ëndrra ime më e madhe, ishte të ndryshoja botën. Varfëria ndonjëherë i bën fëmijët që, bashkë me ëndrrat e tyre të fëmijërisë, të ngrenë pakuptuar edhe shumë pikëpyetje, të natyrës së ekzistencës, si; përse jetoj e si duhet të jetoj. Kjo lloj përplasjeje po themi e botëve, pra, nga njëra anë brishtësia e fëmijës e nga ana tjetër çështje të mëdha të jetës shoqërore, përthyhet në një dëshirë të madhe për ta përmbysur atë rend jetese, dhe, për ta bërë këtë, përpiqesha me anë të angazhimit tim duke mësuar fort.
Pasi u diplomove inxhinier, mendoje për karrierën politike?
Nuk e kam menduar. Në profesionin e inxhinierit ndihesha shumë mirë dhe e kisha shumë për zemër. Pasi përfundova studimet në Universitetin e Tiranës me rezultate shumë të larta, fillova punë në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Naftës dhe të Gazit. Jam përpjekur të jem i përkushtuar në punën që më besonin të bëja dhe gjithmonë jepja më të mirën time. Karriera politike erdhi më vonë dhe jo si një ambicie imja, por si një kërkesë në atë kohë nga miq të mi.
Ngjitja jote si njeri publik ka filluar në Patos dhe në fund përsëri në krye të naftëtarëve, pra, si drejtues i Albpetrolit. Ke ndonje lidhje më të veçantë me qytetarët e Patosit, krahasuar me qytetarët e Fierit, pasi prej shume vitesh ishe edhe në krye të këtyre të fundit?
Unë jam lindur në Patos dhe Patosi është qytet i naftës. Duhet thënë se naftëtarët dhe specialistët ishin të lidhur me naftën, por, njëkohësisht edhe me profesionin tim. Pra, fjala e parë ishte nafta, por edhe njerëzit fisnikë të atij qyteti, me të cilët kam edhe sot marrëdhënie miqësore shumë të mira. Më vonë, fakti që punova në Institut në Fier lidhet me jetën e Fierit dhe me profesionistët e Fierit, po e artikuloj kështu, meqë fjala ‘intelektual’, është shpërdoruar shumë vitet e fundit në vendin tonë. Përmbledhur me pak fjalë, Patosi është vendlindja ime dhe Fieri është jeta ime profesionale. Në këtë qytet kam punuar e jam rritur profesionalisht. Në kuptimin e njerëzve, për mua, Fieri, janë inxhinierët, shokët, profesionistët e naftës.
Duke u bërë deputet mendon se do ndihesh me afër dëshirave të tua apo më shumë në shërbim të komunitetit?
Të gjithë flasin se vijnë në parlament për t’u vënë në shërbim të komunitetit. Por unë e kam dëshmuar realisht këtë. Prej afro 30 vjetësh jam, me të vërtetë, në shërbim të komunitetit. Shpirti dhe mendja ime janë të lidhur me njerëzit. Përherë kam dashur ta njoh nga afër botën e tyre, jam bërë pjesë e problemeve të tyre, pjesë e zgjidhjes së problemeve të tyre, dhe, realisht nuk ka kënaqësi më të madhe për një njeri që, në fund të ditës, të kthehet në shtëpinë e vet, duke marrë me vete buzëqeshjen e një njeriu të varfër apo me probleme, të cilin ti ia ke zgjidhur. Tek e fundit, kjo është jeta, prandaj jam i vendosur të sakrifikoj çdo gjë e me të gjithë mënyrat që të gëzoj sa më shumë familje. Si kandidat i zonës së Roskovecit jam i vendosur të bëj gjëra që, pas katër viteve, të kem bërë të qeshin fytyrat e gjithë banorëve… Dhe do ta bëj!
Mendon se më shumë të ka dhënë Mallakastra apo Myzeqeja në përsosjen e cilësive të tua?
Bashkimi i të dyjave bëjnë një mrekulli. Myzeqari tolerant dhe mallakastrioti me grint kanë ndërtuar atë që unë jam sot.

Njeriu ndërtohet në ecje e sipër, pa menduar një fizionomi konkrete për vete, se ku do të arrijë me përsosjen e cilësive të veta. Në familjen time, një nga porositë e nënës ishte ndershmëria, dashuria për njeriun, korrektësia, sjellja e mirë dhe unë jam mësuar me disa ideale dhe parime mbi të cilat nuk kam shkelur. Kjo mund të ketë ndikuar në rritjen e gradacionit të cilësive, se përsosja është fjalë e madhe.
Për ty opinioni është si burrë babaxhan. Të pëlqen kjo gjë?
Ky opinion më pëlqen, por nuk është i plotë, pasi kufizon shumë atë që unë përfaqësoj në të vërtetë. Më shumë më pëlqen kur më thonë, inxhinier shumë i mirë, drejtues shumë i mirë, ndihem mirë kur ma përmendin që kam qenë student i ekselencës, po ashtu, ma evidentojnë që kam dhënë rezultate në punët që kam drejtuar, si: në fushën e Teatrit, Sportit, Kulturës, Infrastrukturës, Shkencës, etj. Personalisht, kam qenë racional dhe nuk kam dashur të bërtas për punët që bëj. Modestia ime, mendoj se i ka bërë njerëzit të perthithin më shumë detajin e të qenurit ‘babaxhan’, që po ashtu është një term shumë soft edhe në këtë rast.
Je një produkt i Partisë Socialiste apo Partia Socialiste është pjesë e bindjeve apo ndjeshmërisë tënde?
Partia Socialiste është pjesë e ndjeshmërisë sime. Unë jam te shqetësimi, te problemi, te hallet e njerëzve të varfër, te përmirësimi i kushteve sociale – ekonomike të tyre, te projektet konkrete të atyre që duan mbështetje. Dhe, sot kur kthej kokën pas, e kam kënaqësi që kam respektin e të majtëve dhe të djathtëve, qofshin këta qytetarë, biznese apo intelektualë. Në sjelljen time, nuk ka një kufi që më pengon mes të majtëve dhe të djathtëve.
Je i përcaktuar në njohje të pikave të tua të forta, në komunikimin me njerëzit, apo cilat mund të jenë dobësite e marrëdhënieve?
Unë mendoj se komunikimi me njerëzit është pika ime më e fortë dhe, jo pak herë, kam dëgjuar të thonë prej njerëzve që jam ‘artist në komunikim’, gjë që, natyrisht më bën të ndjehem mirë. Këtë fuqi komunikative, besoj se e kam fituar prej komunitetit të artistëve, të cilët i respektoj dhe i dua pafund.

Me ta kam qëndruar shumë afër, kemi vënë në jetë projekte artistike në kohë të turbullta qeverisëse. Por pika tjetër e fortë që do ta veçoja është këmbëngulja ime për t’i çuar punët përpara. Unë nuk di të tërhiqem kur bëhet fjalë për të përfunduar një ide, projekt a punë çfarëdo, deri në ezaurimin e plotë të mundësive të mia.
Mendon se elektorati beson tek ti, për të shkuarën tënde apo te karakteri yt?
Unë do të doja që të më besonte për të dyja. Por, realisht, nuk më mundon kjo. Më shumë më mundon realizimi i projekteve konkrete, për të sjellë në atë zonë ku kandidoj, ndryshime të prekshme për votuesit e mi dhe gjithë banorët e Roskovecit. Këto ditë që i kam takuar nga afër banorët kam parë besim të palëkundur në sytë e tyre, kjo më gëzon dhe më shton edhe më tepër përgjegjësinë time personale, që të bëj më të mirën për këta njerëz, të cilët dinë ta perceptojnë punën e mirë, ndryshimin dhe përkushtimin e sinqertë dhe serioz ndaj tyre.











