Shqipëria ka nisur punën për të përgatitur vendstrehimet ku do të qëndrojnë afganët. Burime përbëjnë me dije se në Shqipëri do të vijnë 250 persona, të cilët do të strehohen në zonën që lidh Tiranën me Durrësin. Ardhja e tyre pritet të realizohet për punë ditësh. Jo çdo person do të lejohet të strehohet në Shqipëri, por sipas marrëveshjes është specifikuar që do të pranohen vetëm ata që kanë qenë bashkëpunëtor të aleancës NATO-SHBA, ose gra aktiviste dhe intelektualë siç ka specifikuar dje kryeministri Edi Rama. Kostoja për qëndrimin e tyre në Shqipëri pritet të përballohet nga shteti shqiptar në përputhje me zotimin që është dhënë në NATO.
Strehimin e tyre e ka konfirmuar dhe ministrja Olta Xhaçka e cila me anë të një postimi është shprehur se Shqipëria është gati të presë qindra afganë.
‘Shqipëria është e gatshme të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”– shkruan ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme në ‘Tëitter’.
Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama pranoi se Shqipëria kishte rënë dakord me kërkesën e bërë nga SHBA që të strehojë afganët në vend, pas pushtimit të Kabulit nga talebanët. Kreu i shtetit shtoi se me ta do të veprohet njësoj si me hebrenjtë që u pritën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër reagime të shumta për këtë veprim të Shqipërisë pati dhe nga liderë të tjerë të politikës në vend, si Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe opinionistë dhe gazetarë. DASH nga ana tjetër ka falenderuar Shqipërinë dhe Kosovën për ndihmën që po japin.