“Po të shkonte mamaja ime në punë, s’do isha sot”! Çfarë nënkupton 11 shtatori për të rinjtë e Nju Jorkut.
Brezi i ri në qytetin e Nju Jorkut ishte në moshë shumë të vogël ose ende nuk kishin lindur kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit 2001. Por ata u rritën në qytetin që po përballej me pasojat e sulmit terrorist. Në materialin në vazhdim të rinjtë e qytetit të Nju Jorkut tregojnë për Zërin e Amerikës se çfarë nënkupton 11 shtatori për ata.
Noah Rodriguez ishte vetëm 2 vjeç kur ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit. Ai mendon shpesh për këtë ngjarje të trishtë kur e gjithë bota shikonte në televizor se si digjeshin kullat binjake.
“Nuk mendoj se kjo ngjarje do të harrohet”, thotë ai.
Mes vorbullës politike të katër viteve të fundit, të shoqëruar nga pandemia, studenti i mjekësisë thotë se sulmet e 11 shtatorit ishin një nga shumë ngjarjet më katastrofike.
“11 shtatori ishte vetëm një nga ngjarjet e rënda që ka ndodhur gjatë jetës sonë”.
Sulmet ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë padyshim që e ndryshuan qytetin e Nju Jorkut. Por fëmijët e asaj kohe dhe ata që janë më të rinj kanë ndjenja të përzjera ndërsa afrohet 20 vjetori i sulmeve. Sarah Malik lindi pak pas ngjarjes tragjike.
“Mendoj se shumica e fëmijëve e kuptojnë konceptimin e asaj që ka ndodhur. Ata mund ta kuptojnë se ishte një tragjedi, por nuk është njëlloj si ta përjetosh atë”.
16-vjeçarja nga Nju Jorku është njohur me ngjarjen falë babait të saj, i cili punonte në kullat binjake.
“Unë thjesht mendoj se shumë prej tyre nuk e dinë, por edhe ka nga ata që nuk kanë interes të dinë”, thotë Joan Mastropaolo me Muezumin e Kujtesës.
Ajo thotë se ngjarjet dhe pasojat e tyre mund të nguliten tek kujtesa e gjeneratave të reja kur dëgjojnë ngjarjet nga të mbijetuarit.
“Kur t’u flas atyre për ato që kam parë dhe perjetuar..”
Për 17-vjeçaren Silvana Davi, kjo ditë është personale. Ajo thotë për Zërin e Amerikës se nëna e saj duhej të ishte në kullat binjake kur aeroplanët goditën.
“Po të shkonte në punë mamaja ime, unë nuk do të isha këtu.”
E rritur në një periferi të Nju Jorkut, ku shumë fëmijë humbën prindërit nga sulmi, ngjarja ka qënë pjesë e jetës së saj. Kohët e fundit ajo bëri një shkrim për orën e historisë mbi ngjarjet e 11 shtatorit.
“Mendoj se ngjarja nuk duhet të harrohet kurrë, dhe gjeneratat e ardhshme duhet të mësojnë për të si pjesë e historisë sonë”.
Ajo gjithashtu po grumbullon fonde bamirësie.
“Shpresoj që kjo t’u mësojë njerëzve se jeta mund të ndryshojë në pak sekonda, dhe duhet të shijoni çdo moment që keni”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Ndërsa vendi shënon 20 vjetorin, brezat e ardhshëm do të përcaktojnë vetë se çfarë nënkupton 11 shtatori për ta./VOA